Kupa e Botës në futboll për herë të parë me tri shtete organizatore
SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika do të bashkëorganizojnë Kupën e Botës në një hapësirë të gjerë gjeografike që përfshin 4 zona kohore, duke shënuar herën e parë në histori që turneu organizohet nga tri vende njëkohësisht
Fatih Erel
05 qershor 2026•Përditësim: 05 qershor 2026
Stamboll
Kampionati Botëror i Futbollit FIFA do të organizohet për herë të parë në histori nga tri vende njëkohësisht, përkatësisht SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika, në një hapësirë të gjerë gjeografike, transmeton Anadolu.
Botërori, i cili nisi në Uruguai në vitin 1930, është mbajtur 22 herë deri më tani. Megjithatë, për herë të parë në histori, Botërori 2026 do të zhvillohet në tri vende, me 48 ekipe pjesëmarrëse.
I organizuar nga SHBA-ja, Meksika dhe Kanadaja, turneu do të nisë me ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut në stadiumin e Meksiko Sitit më 11 qershor, ndërsa do të përfundojë me finalen në Stadiumin e New Jerseyt më 19 korrik, pas gjashtë javësh garash.
Kampionati Botëror 2026 do të përfshijë 104 ndeshje në 16 stadiume të ndryshme të shpërndara në katër zona kohore. SHBA-ja do të presë 78 nga këto ndeshje.
Stadiumi më i madh nga 16 stadiumet është ai në Dallas me kapacitet prej 94.000 vendesh, ndërsa më i vogli ndodhet në Toronto me 45.000 vende.
Nga 22 edicione të mëparshme të Kupës së Botës, 21 janë organizuar nga një vend i vetëm, ndërsa përjashtim bën vetëm turneu i vitit 2002, i cili u organizua nga Japonia dhe Koreja e Jugut.
Ky turne ishte gjithashtu hera e parë që një Kampionat Botëror u zhvillua në Azi si bashkorganizim i dy vendeve.
Brazili fitoi Kupën e Botës 2002 duke mposhtur Gjermaninë 2-0 në finale. Turqia përfundoi e treta pas fitores ndaj Koresë së Jugut, një prej vendeve pritëse.
Organizatorët e Kupës së Botës deri më tani janë si më poshtë:
Viti
Organizator
1930
Uruguai
1934
Itali
1938
Francë
1950
Brazil
1954
Zvicër
1958
Suedi
1962
Kili
1966
Angli
1970
Meksikë
1974
Gjermani Perëndimore
1978
Argjentinë
1982
Spanjë
1986
Meksikë
1990
Itali
1994
SHBA
1998
Francë
2002
Kore e Jugut-Japoni
2006
Gjermani
2010
Afrikë e Jugut
2014
Brazil
2018
Rusi
2022
Katar
2026
SHBA, Kanada, Meksikë
3957722 | Latest Muslim News, Islamic Updates & World Coverage 2026