Beyza Binnur Dönmez
05 qershor 2026•Përditësim: 05 qershor 2026
Programi Botëror i Ushqimit (WFP) paralajmëroi sot se pasojat nga kriza e Lindjes së Mesme tashmë po shtyjnë miliona të tjerë në uri në disa nga vendet më të cenueshme të botës, transmeton Anadolu.
Në një raport të ri, WFP tha se 2.5 milionë njerëz të tjerë në Somali, 1.3 milionë në Sri Lanka dhe 2.3 milionë në Afganistan po luftojnë për të përmbushur nevojat bazë ushqimore ndërsa në disa raste, po shtyhen në uri akute si rezultat i krizës.
Gjetjet vijnë tre muaj pasi WFP paralajmëroi se 45 milionë njerëz në mbarë botën mund të bien në pasiguri akute ushqimore nëse konflikti vazhdon dhe çmimet e naftës mbeten të larta. "Ne paralajmëruam se kjo krizë mund të shtyjë miliona të tjerë në uri. Tani po e shikojmë të ndodhë në kohë reale", tha Jean-Martin Bauer, drejtor i Shërbimit të Sigurisë Ushqimore dhe Analizës së Ushqyerjes të WFP.
Sipas raportit, vendet që tashmë përballen me konflikte, goditje klimatike dhe vështirësi ekonomike janë ndër më të ekspozuara pasi karburantet, plehrat, ushqimet dhe kostot humanitare vazhdojnë të rriten.
Në Somali, gati 60 për qind e familjeve mund të mos jenë në gjendje të plotësojnë nevojat bazë në vitin 2026, nga 47 për qind një vit më parë. Ky vend në Bririn e Afrikës është shumë i ekspozuar ndaj goditjeve të çmimeve globale, duke importuar të gjithë naftën dhe 90 për qind të drithërave të tij, sipas raportit.
Në Sri Lanka, WFP tha se vendi mbetet i cënueshëm ndërsa rimëkëmbet nga një krizë e zgjatur ekonomike. Ai varet nga Lindja e Mesme me 63 për qind të furnizimeve të saj me energji ndërsa 44 për qind të parave (remitancave) dhe 45 për qind e eksporteve të çajit janë të lidhura me vendet e Gjirit, duke i ekspozuar familjet dhe punëtorët ndaj goditjeve në çmimet e energjisë, tregtisë dhe të ardhurave. Rritja e kostove të ushqimit, karburantit dhe plehrave kimikë po i rëndon edhe më tej buxhetet e familjeve.
Në Afganistan, ku 13.8 milionë njerëz ishin tashmë në gjendje të pasigurisë ushqimor përpara kësaj krize të fundit, ekspozimi shoqërohet nga lidhjet e forta ekonomike me Iranin fqinj, i cili përbën 60 për qind të eksporteve afgane dhe 50 për qind të importeve.
WFP paralajmëroi se efektet ka të ngjarë të intensifikohen edhe nëse kriza e Lindjes së Mesme lehtësohet, pasi fermerët përballen me sezonet e mbjelljeve të shënuara nga mungesa e plehrave kimik dhe kostot e larta të karburantit që mund të ulin të korrat dhe të rrisin çmimet e ushqimit.
Agjencia tha se po përballet me kostot operative në rritje dhe mungesat e financimit, duke vlerësuar se do të ndihmojë 1.5 milion njerëz më pak se sa ishte planifikuar fillimisht këtë vit. Nëse kriza vazhdon, më shumë se 9 milionë njerëz mund të humbasin ndihmën humanitare, paralajmëroi ajo.