Nigeri, një sipërmarrës me aftësi të kufizuara siguron jetesën dhe krijon mundësi punësimi duke prodhuar motoçikleta
Kamil Salisu Ahmad, një sipërmarrës 30-vjeçar që jeton në shtetin Kano, deklaroi se deri më tani u ka mësuar prodhimin e motoçikletave pesë personave dhe se kjo është arritja e tij më e madhe.
Adam Abu-bashal
17 maj 2026•Përditësim: 17 maj 2026
photo: Zulyadain Bello / AA
Kano
Nigeriani Kamil Salisu Ahmad, pavarësisht humbjes së aftësisë për të ecur për shkak të një sëmundjeje që pësoi si fëmijë, siguron jetesën dhe ofron mundësi punësimi për të tjerët me aftësi të kufizuara duke zhvilluar dhe prodhuar motoçikleta me tre rrota, raporton Anadolu.
Ahmad, një sipërmarrës 30-vjeçar që jeton në shtetin Kano, për Anadolu tha se jeta e tij ndryshoi rrënjësisht pasi u sëmur me një sëmundje të pashpjegueshme në moshën 11-vjeçare.
Nigeriani Ahmad deklaroi se u detyrua të qëndronte brenda për një kohë të gjatë. "Edhe të dilja jashtë ishte e pamundur për mua. Ndonjëherë nuk mund të dilja nga dhoma ime për muaj të tërë. Nuk kisha askënd që të më ndihmonte", tha ai.
Foto : Zulyadain Bello/AA
Ai theksoi se vështirësitë e tij fizike bënë që ai të braktiste shkollën, por ai kurrë nuk hoqi dorë nga vendosmëria e tij për të jetuar.
Ahmad tha se kur mbushi 17-vjeç, ai mori një vendim që i ndryshoi jetën dhe filloi të punonte si praktikant në një punishte lokale riparimi motoçikletash.
Gjithashtu ai tha se mësoi shpejt hollësitë e profesionit dhe kombinoi njohuritë e tij me përvojën e tij jetësore për të vendosur një qëllim tjetër.
Foto : Zulyadain Bello/AA
Duke shpjeguar se ai krijoi punishten e tij dhe filloi të prodhonte motoçikletën me tre rrota që ai zhvilloi, Ahmad tha: "E fillova këtë jo vetëm për veten time, por edhe për njerëz të tjerë me aftësi të kufizuara në lëvizje si unë".
Ai deklaroi se motoçikleta me tri rrota synon ta bëjë jetën e përditshme më të lehtë për individët me lëvizshmëri të kufizuar dhe se këto automjete, të cilat dallohen për përdorimin e tyre praktik, mund të përdoren lehtësisht edhe në kushte ranore dhe terreni sfidues.
Duke thënë se disa pjesë i siguron në nivel lokal për prodhimin e motoçikletës, të cilën e ka projektuar vetë, dhe i importon nga jashtë ato që nuk mund të gjenden, ai shpjegoi se prodhimi i një motoçiklete zgjat afërsisht 4-5 javë dhe se ai ka prodhuar dhe shitur rreth 20 motoçikleta deri më sot.
- "Arritja ime e vërtetë është t'u jap shpresë të tjerëve"
Ahmad deklaroi se deri më tani u ka mësuar prodhimin e motoçikletave pesë personave dhe se kjo është arritja e tij më e madhe.
"Të qenit me aftësi të kufizuara nuk është pengesë për të bërë gjëra. Doja ta tregoja këtë," tha Ahmedi, duke shtuar: "Disa njerëz që nuk janë me aftësi të kufizuara nuk mund të bënin as atë që bëj unë sot".
Ahmad theksoi se qëllimi i tij më i madh për të ardhmen është zgjerimi i punishtes së tij, duke deklaruar se dëshiron të ofrojë mundësi punësimi për më shumë njerëz.
Ai theksoi rëndësinë e ndihmës ndaj individëve në disavantazh si ai vetë për të fituar një profesion dhe bëri thirrje për mbështetje.
"Dua që më shumë njerëz të vijnë këtu, të mësojnë një zanat dhe të ndërtojnë jetën e tyre. Por për fat të keq, deri më tani nuk kemi marrë mbështetje të mjaftueshme", tha Ahmad.