Irmak Akcan
05 qershor 2026•Përditësim: 05 qershor 2026
Gazetari amerikan, Thomas Pauken, thuhet se është deklaruar fajtor në gjykatë për akuzat e spiunazhit në emër të qeverisë kineze, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, Pauken, i cili jetonte në Kinë që nga viti 2010 dhe punonte për media të ndryshme shtetërore atje, është deklaruar fajtor për akuzat e spiunazhit kundër tij.
Departamenti deklaroi se Thomas Pauken është planifikuar të dënohet në një Gjykatë të Qarkut të SHBA-së më 1 shtator dhe se gazetari përballet me një dënim deri në 10 vjet burg.
Avokati i Pauken-it, Charles Burnham tha se klienti i tij e pranoi fajësinë. "Ai pranoi të punonte si agjent për Republikën Popullore të Kinës pa plotësuar disa formularë të detyrueshëm për qeverinë e SHBA-së", tha Burnham.
Pauken, i cili shkroi me pseudonimin Tom McGregor, u arrestua në shkurt pasi mbërriti në SHBA nga Kina.
Në deklaratën e betuar që Pauken dha pas arrestimit të tij, thuhet se ai ishte përpjekur ta njihte personin në fjalë me individë të lidhur me qeverinë kineze dhe kishte thënë se ekzistonte një mundësi prej “80 për qind” që një person i punësuar në një institucion shtetëror në SHBA të nxirrte informacione për Kinën.
Në deklaratën e Pauken-it thuhet se ai i kishte siguruar personit në fjalë një telefon celular dhe një laptop, duke i premtuar një pagesë prej 10 mijë dollarësh në këmbim të punës për individë të lidhur me qeverinë kineze dhe të përgatitjes së raporteve javore që “do të lexoheshin nga presidenti i Kinës, Xi Jinping”.