Kemal Zorlak
05 qershor 2026•Përditësim: 05 qershor 2026
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa shprehu kënaqësi të madhe për përfundimin e vizitës së tij në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilën po e përmbyll në Tivat, duke theksuar se kjo gjeneratë politikanësh dhe qytetarësh ka një mundësi historike për ta çuar Malin e Zi në anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, raporton Anadolu.
Costa u deklarua në platformën sociale amerikane X, duke kujtuar se vizita e tij vjen menjëherë pas festimit të Ditës së Pavarësisë nga Mali i Zi muajin e kaluar.
"Mali i Zi ka bërë një rrugë të gjatë në njëzet vitet e fundit. Kjo gjeneratë ka një mundësi historike për ta çuar Malin e Zi në familjen e Bashkimit Evropian", porositi zyrtari i lartë evropian. Gjatë qëndrimit në Mal të Zi, presidenti i Këshillit Evropian zhvilloi takim me presidentin malazez Jakov Millatoviq, ku në fokus ishte përparimi i vendit në rrugën evropiane.
"Në takimin me presidentin Jakov Millatoviq vlerësova punën e palodhur të Qeverisë së Malit të Zi për nisjen dhe zbatimin e reformave të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian", tha Costa. Ai theksoi se Podgorica zyrtare shërben si një dëshmi e qartë dhe shembull për vendet e tjera aspirante se integrimi evropian dhe politika e zgjerimit mbeten aktive dhe të arritshme.
"Mali i Zi tregon se mundësia për zgjerimin e BE-së është reale", shtoi presidenti i Këshillit Evropian. Në fund të deklaratës së tij, Costa njoftoi se diskutimet për perspektivën evropiane dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal do të vazhdojnë në samitin shumëpalësh që po zhvillohet.
"Pres me padurim vazhdimin e këtyre diskutimeve me të gjithë partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor në samitin që mbahet më vonë sot", përfundoi Costa.
Samiti i liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor mbahet më 4 dhe 5 qershor në Tivat të Malit të Zi nën sloganin "Prosperiteti i përbashkët dhe stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor" ndërsa tema kryesore e samitit do të jetë zgjerimi i BE-së.
Mbledhja drejtohet nga presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, i cili këtë javë zhvilloi një turne në vendet e rajonit. Pritës i samitit është presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq, ndërsa do të marrin pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, si dhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Siç njofton Komisioni Evropian, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së do të diskutojnë për zgjerimin dhe Planin e Rritjes. Pritet që BE-ja të rikonfirmojë përkushtimin e plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor.
Samiti është pjesë e zbatimit të agjendës së Këshillit Evropian 2024-2029. Samitet BE–Ballkani Perëndimor mbahen që nga viti 2018, ndërsa i fundit u mbajt në Bruksel në dhjetor 2025.
Mali i Zi ka angazhuar rreth 1.500 policë që kujdesen për sigurinë e pjesëmarrësve të samitit.